Një kapitull i ri për të rinjtë dhe të ardhmen digjitale të Prishtinës
Një bashkëpunim i rëndësishëm u zyrtarizua midis The Foundation House (ish-IPKO Foundation) dhe Komunës së Prishtinës, me nënshkrimin e një marrëveshjeje strategjike që synon ta shndërrojë kryeqytetin në qendrën rajonale të inovacionit, teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale (AI).
Kjo marrëveshje shënon një hap historik drejt ndërtimit të një ekosistemi të qëndrueshëm të inovacionit në Pallatin e Rinisë, vendi ku lindi për herë të parë festivali ndërkombëtar DOKUTECH. Qëllimi i saj është të fuqizojë të rinjtë, gratë dhe komunitetet përmes arsimimit digjital dhe zhvillimit kreativ, duke krijuar një platformë të përhershme për ide të reja dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve, organizatave dhe inovatorëve.
“Ky është një investim i fuqishëm në të ardhmen e rinisë dhe të qytetit tonë.”
— Përparim Rama, Kryetar i Prishtinës
“Ky partneritet shënon një kthesë historike për edukimin digjital dhe inovacionin në Kosovë.”
— Abetare Gojani, Drejtore Ekzekutive, The Foundation House
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Komuna e Prishtinës do të mbështesë krijimin e hapësirës qendrore për The Foundation House dhe DOKUTECH në Pallatin e Rinisë, duke e kthyer atë në një qendër të inovacionit dhe edukimit digjital për të rinjtë e qytetit.
Nga ana tjetër, The Foundation House do të zbatojë aktivitete që ndikojnë drejtpërdrejt tek komuniteti, përmes trajnimeve në inteligjencë artificiale, robotikë dhe kodim për nxënësit e 12 shkollave të Prishtinës, krijimit të laboratorëve STEAM për zhvillimin e projekteve kreative, organizimit të Javës Ndërkombëtare “Vajzat në TIK” dhe fushatës EmpowerHer, si dhe masterklasave, ekspozitave dhe hackathoneve për të rinjtë.
Ky partneritet pritet të angazhojë mbi 2,000 të rinj çdo vit, të forcojë lidhjen mes shkollave, komunës dhe sektorit të inovacionit, dhe të pozicionojë Prishtinën në hartën e qyteteve më digjitale të Ballkanit.
The Foundation House dhe Komuna e Prishtinës po hapin së bashku një kapitull të ri, atë të një Prishtine që frymon inovacion, dije dhe mundësi për çdo të ri e të re të saj.
